Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur për arritjet e tij në diplomaci në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se vetëm në shtatë muaj i ka “përfunduar shtatë luftëra të pafundme”.
Këtu ai e listoi edhe konfliktin Kosovë-Serbi siç ka bërë edhe në disa deklarata më parë.
“Po ashtu, brenda një periudhe prej vetëm shtatë muajsh, unë i kam dhënë fund shtatë luftërave të pafundme. Ata thoshin se ishin të pafundme. Që kurrë nuk do të zgjidheshin. Disa kishin vazhduar për 31 vjet, dy prej tyre, 31. Mendoni pak, 31 vjet. Një tjetër kishte 36 vjet. Një tjetër 28 vjet. Unë i dhashë fund shtatë luftërave. Dhe në të gjitha rastet, ato ishin duke u zhvilluar me mijëra njerëz të vrarë”, tha Trump.
“Kjo përfshin Kamboxhian dhe Tajlandën, Kosovën dhe Serbinë, Kongon dhe Ruandën – një luftë e egër, e dhunshme – Pakistanin dhe Indinë, Izraelin dhe Iranin, Egjiptin dhe Etiopinë, dhe Armeninë dhe Azerbajxhanin. Asnjë President apo Kryeministër dhe asnjë vend tjetër nuk ka bërë ndonjëherë diçka që t’i afrohet kësaj. Dhe unë e bëra këtë në vetëm shtatë muaj. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka pasur kurrë ndonjë gjë të tillë. Jam shumë i nderuar që e kam bërë”.
Trump u ankua se OKB-ja as s’ka pasë përpjekje për të ndalë ndonjërën prej këtyre luftërave.
“Është për të ardhur keq që unë duhej t’i bëja këto gjëra në vend të Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Discover more from Illyran Info
Subscribe to get the latest posts sent to your email.