Trump: Vendet e NATO-s duhet t’i rrëzojnë aeroplanët rusë nëse shkelin hapësirën e tyre ajrore

21 Views
2 Min Read
Advertisements

Pas takimit të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti amerikan, Donald Trump shprehu admirim të thellë për rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus.

“Ne kemi respekt të madh për luftën që po bën Ukraina. Është mjaft e jashtëzakonshme”, tha ai, duke vlerësuar qëndrimin e ukrainasve.

Trump u pyet nga gazetarët nëse mendon që NATO duhet të rrëzojë aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të NATO-s.

“Mendoj se po”, u përgjigj ai gjersa shtoi se “SHBA-ja varësisht prej rrethanave, do t’i mbështes ose jo këto aksione”, raporton skynews.

I pyetur për marrëdhëniet me Hungarinë, Trump tha se do të kontaktojë kryeministrin, Viktor Orban dhe shprehu besimin se ky i fundit do të ndalojë importin e naftës ruse. “Mendoj se Orban do të ndalojë blerjen e naftës ruse nëse i flas. Do t’i flas atij”, u shpreh 79-vjeçari.

Duke komentuar situatën në terren, Trump tha se Rusia nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e saj në luftë dhe se konflikti do të zgjasë më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht.

“Kjo duhej të ishte e shpejtë për ta, por duket se nuk do të përfundojë për një kohë të gjatë”, tha ai.

Kjo deklaratë vjen pasi javën e kaluar Estonia njoftoi se tre aeroplanë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta, para se aeroplanët luftarakë italianë të NATO-s t’i shoqëronin dhe t’i largonin.

Javë më parë rreth 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake, duke detyruar aeroplanët e NATO-s të rrëzonin disa prej tyre, ndërsa aleanca forcoi mbrojtjen në krahun lindor të Evropës.


Discover more from Illyran Info

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Advertisements