Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatua zyrtarisht kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për krijimin e Qeverisë së re të vendit.
Osmani konfirmoi se vendimi është marrë pa pasur garanca me shkrim për 61 deputetë, por theksoi se Kushtetuta e Kosovës nuk kërkon garanci të tilla, por “gjasat që një kandidat të mund të krijojë qeverinë”.
“Kam vlerësuar se z. Konjufca dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ofruar mjaft dëshmi për gjasat reale që të formojnë shumicën parlamentare”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se është e bindur se ekziston potencial për krijimin e qeverisë së re.Pas mandatimit, Glauk Konjufca ka në dispozicion 15 ditë kohë për të formuar shumicën në Kuvend dhe për të paraqitur kabinetin e tij për votim.
Kujtojmë se më herët, kandidati i parë i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk arriti ta sigurojë shumicën e nevojshme, duke marrë vetëm 56 vota pro nga 61 sa kërkohen për miratimin e qeverisë.
Nga ana tjetër, krerët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës kanë reaguar duke e cilësuar vendimin e Presidentes si tejkalim kompetencash dhe kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë qeverinë e propozuar nga Konjufca, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja. Sipas tyre, Vetëvendosje po përpiqet “të blejë kohë politike”.
Në përgjigje të këtyre kritikave, Presidentja Osmani kujtoi se në praktikën parlamentare ka pasur raste kur deputetët kanë votuar ndryshe nga qëndrimet e partive të tyre, madje edhe ajo vetë, siç tha, ka vepruar në të njëjtën mënyrë në disa raste. Ajo përmendi si shembull votimin e saj për Presidenten e Kosovës, që u zhvillua përkundër kundërshtimeve të një pjese të subjektit politik.
Tash mbetet të shihet nëse Glauk Konjufca do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. (INA)