Integrimi në BE, Kurti: Vakuumin që lë BE-ja po tentojnë ta mbushin akterë dashakeqë që rrezikojnë sigurinë e Kosovës

Illyrian Info
4 Min Read

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se vakuumi i krijuar nga Bashkimi Evropian po synohet të mbushet nga akterë të tjerë dashakeqë, të cilët sipas tij po minojnë vlerat evropiane dhe po rrezikojnë sigurinë e Kosovës.

Këto deklarata Kurti i bëri pas takimit me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos me të cilën tha se kanë diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe avancimin drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.


“Me komisioneren Marta Kos kemi ngritur edhe çështjen e statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtëritjes së zgjerimit nga BE duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Ne jemi falenderues për mbështetjen e BE-së të cilën e kemi partner strategjik. Që nga viti1999 BE-ja ka investuar në Kosovë mbi 3.7 miliardë euro. Kemi bërë progres në shtyllat themelore dhe kjo jemi të bindur që meriton të njihet nga BE-ja në kontekst të zgjerimit. Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurta as derë të pasme vetëm proces meritor”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë rreth 90 për qind, duke e cilësuar si nivelin më të lartë ndër vendet kandidate.

“Gjetja e unitetit nga BE për të marrë vendime rreth Kosovës është e përbashkët”, shtoi ai.

Kurti paralajmëroi se boshllëku i krijuar nga BE-ja po shfrytëzohet nga aktorë të tjerë me qëllime destabilizuese.

“Vakuumi që lë BE-ja po synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeqë të cilët i minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësi e të gjithëve neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se me komisioneren Kos kanë zhvilluar një takim produktiv, ku kanë diskutuar për progresin e Kosovës në ekonomi, sundimin e ligjit dhe reformat evropiane.

“Kosova është në mesin e tri shteteve më të avancuara nga 15 vendet e Evropës Juglindore për sundimin e ligjit. Ekonomia jonë ka shënuar ngritje, ndërsa kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë me termat më të ashpër”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, Kosova ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe strehim për gazetarët ukrainas, ndërsa gjashtë hapa reformues tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Evropian, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, ai tha se mungesa e një Kuvendi funksional ka ndikuar në vonimin e disa reformave dhe po rrezikon afatet e përcaktuara për muajin qershor.

“Mungesa e Kuvendit funksional gjatë vitit të kaluar, por edhe tani, ka bërë që disa reforma të vonohen. Jemi duke punuar për ta minimizuar ndikimin e bllokadave në Kuvend”, tha Kurti.

Ai shtoi se Kosova ka shënuar progres të moderuar në pesë kapituj të rëndësishëm dhe se raporti i Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim vlerëson lart kuadrin ligjor dhe kushtetues të vendit.

“Kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në, gëzojmë liberalizimin e vizave që nga 1 janari 2024 dhe jemi pjesë e tregut të përbashkët rajonal dhe planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

Kurti foli edhe për çështjet e sigurisë rajonale, duke përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Lepencit.

“Kosova ka pësuar dy sulme vitet e fundit në Banjskë dhe në kanalin e Lepencit, të dyja të financuara nga fqinji ynë verior. Kemi një fqinj agresor që të sulmon në vend që të bashkëpunojë. Kjo është sfidë për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal”, tha Kurti. /Telegrafi/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *