Supremja refuzon kërkesën për ndërprerje të paraburgimit në rastin e dyshimeve për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh me prona në lagjen Veternik

Illyrian Info
3 Min Read

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurit M.M., i dyshuar se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale “Mashtrimi i mbetur në tentativë”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PPRKR.nr.275/2025 të datës 25.03.2026, të pandehurve M.M. dhe Zh.J. ua kishte vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, për periudhën nga 25.03.2026 deri më 25.05.2026.

Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktvendimin PN.I.nr.384/2026 të datës 10.04.2026, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe kishte vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.


Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësi i të pandehurit M.M., avokati Visar Vehapi, me propozim që aktvendimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja të kthehet në rivendosje, ose të ndryshohen duke e liruar të pandehurin nga paraburgimi, respektivisht duke e zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak dhe masa të tjera kufizuese.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, vlerësoi se kërkesa është e pabazuar.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, rezulton dyshimi i bazuar se i pandehuri mund të ketë kryer veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet.

Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes; ndikimit në dëshmitarë dhe në bashkë të pandehur, asgjësimit të provave apo koordinimit të deklaratave me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale si dhe rreziku që i pandehuri, nëse lihet në liri, të përsërisë vepra penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme.

I pandehuri, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësore dhe ka tentuar regjistrimin e tyre në Zyrën e Kadastrit në Komunën e Prishtinës për parcelën me numër P-…, me sipërfaqe prej 5976 m², e cila ndodhet në Veternik.

Gjykata Supreme konstatoi se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar lidhur me vazhdimin e paraburgimit dhe se në rastin konkret nuk janë shkelur dispozitat e procedurës penale.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *