Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, i është kundërpërgjigjur presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, pas deklaratave shpërthyese se klubi katalanas “ka vjedhur” disa trofe të La Ligas.
Futbollisti i hodhi poshtë këto akuza të debatueshme, duke vënë në dukje dominimin e padiskutueshëm futbollistik të skuadrave legjendare blaugrana, që sunduan futbollin spanjoll për më shumë se një dekadë.
Perez ka ndezur polemika të mëdha në mediat spanjolle pasi sulmoi drejtpërdrejt Barcelonën gjatë një konference të fundit për shtyp. Presidenti madrilen riktheu sërish në qendër të vëmendjes skandalin “Negreira”, duke e akuzuar rëndë klubin katalanas për korrupsion.
Perez pretendoi se gjatë mandatit të tij të gjatë disa kampionate vendore i ishin marrë padrejtësisht Real Madridit, ndërsa shtoi se gabime serioze të gjyqtarëve i kanë kushtuar ekipit të tij shumë pikë në sezonin aktual.
“Vetëm shtatë tituj kampioni të fituar në presidencën time? Në fakt unë kam fituar 14, të tjerët m’i kanë vjedhur”, deklaroi Perez.
I pyetur për këto pretendime gjatë një interviste për Que Thi Jugues, Fermin e rrëzoi këtë narrativë duke kujtuar lojtarët ikonikë që ishin shtylla e epokës së artë të Barcelonës.
“Ajo që ka thënë Florentino Perez nuk mund të jetë e vërtetë, sepse po luanin Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez. Është e pamundur që Barcelona të ketë vjedhur tituj kampioni”, u shpreh Fermin./Telegrafi/
