​PZAP-ja refuzon ankesën e listës opozitare serbe “Bashkë fitojmë”, nuk e certifikon për zgjedhjet e 7 qershorit – RTV21

Illyrian Info
3 Min Read

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur ta lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës opozitare serbe “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit tashmë janë certifikuar disa subjekte politike serbe, përfshirë edhe Listën Serbe dhe partinë e Nenad Rashiqit, “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa e listës opozitare serbe “Bashkë fitojmë” është e pabazuar, pasi subjektet pjesëmarrëse nuk kanë arritur t’i plotësojnë kriteret ligjore të kërkuara për certifikim.

“Lista opozitare serbe “Bashkë fitojmë” kishte dorëzuar gjithsej 1.087 nënshkrime mbështetëse, por një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i plotësonin standardet e verifikimit.

Për qindra nënshkrime mungonin të dhënat kontaktuese, ndërsa disa qytetarë të kontaktuar kishin mohuar se kishin nënshkruar formularët.

KQZ-ja kishte kërkuar nga lista “Bashkë fitojmë” që t’i plotësonte dokumentet dhe mangësitë e evidentuara, por kjo nuk ishte bërë brenda afatit të paraparë”.

Në përbërje të listës opozitare serbe ishin disa parti dhe iniciativa qytetare, përfshirë Demokracinë Serbe, Lëvizjen Popullore Serbe dhe iniciativën “Veriu për të Gjithë”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e listës kanë insistuar se kanë dorëzuar mbi 1.400 nënshkrime dhe se kërkesa për numrat e telefonit të nënshkruesve nuk ka qenë praktikë në proceset e kaluara zgjedhore.

Lista opozitare serbe “Bashkë fitojmë” ka të drejtë që rastin ta dërgojë në Gjykatën Supreme.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *