Policia ka privuar nga liria një 19-vjeçar nga fshati Bojanë, i dyshuar për vrasjen e një 18-vjeçari nga i njëjti fshat.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 15 maj 2026 në një pyll afër Sarajit, ndërsa arrestimi është bërë më 17 maj në orët e para të mëngjesit.
I dyshuari M.B. ka pranuar veprën, ndërsa policia ka gjetur trupin e viktimës dhe armën e dyshuar të përdorur në krim.
Kundër tij do të ngrihet kallëzim penal për “vrasje”.
“Më 17.05.2026, në ora 00:50 në fshatin Bojanë të Shkupit, zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë arrestuar M.B. (19) nga Bojana, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal. Paraprakisht, në numrin emergjent 192 ishte paraqitur babai i tij, I.B., i cili kishte deklaruar se M.B. i kishte pranuar se më 15.05.2026, në një pyll në afërsi të Sarajit, me armë zjarri kishte vrarë B.D. (18) nga Bojana. Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa janë gjetur edhe trupi i viktimës dhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Pas dokumentimit të rastit, ndaj M.B. do të parashtrohet kallëzim penal përkatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
