Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Rahovecit ka hapur thirrje për përkrahje të fermerëve vreshtarë, duke ofruar preparate për luftimin e insektit “cikadia e hardhisë së rrushit”.
Sipas njoftimit, përkrahja përmes kësaj thirrjeje i dedikohet sektorit të vreshtarisë, ndërsa përfitues mund të jenë fermerët që kultivojnë rrush dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara.
“Të jetë fermer/fermere, kultivues i rrushit” dhe “të ketë së paku 0.10 ha me vresht”, janë dy nga kriteret specifike të njoftuara për përfitimin e preparatit kundër insekteve.
Drejtoria ka bërë të ditur se për fermerët që synojnë trajtim me dron, parashihen kritere shtesë. Sipas njoftimit, për trajtim me dron kërkohet të ketë minimum 0.50 hektarë sipërfaqe të pandërprerë (parcelë), si dhe të paktën 0.50 hektarë sipërfaqe të përgjithshme me vreshta.
Po ashtu, theksohet se sipërfaqja maksimale e mbështetur për trajtim me dron është deri në 20 hektarë për përfitues.
Afati i aplikimit është nga 18 maj 2026 deri më 1 qershor 2026, ndërsa aplikacionet dorëzohen në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (BPZHR) në Rahovec. /Telegrafi/
