Rama komenton protestën: “Kulmin e pati me 1,500 veta” – Thirrje studentëve të distancohen nga dhuna, paralajmëron fakte të reja

IllyInfo
3 Min Lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje publike studentëve dhe qytetarëve që të distancohen prerazi nga aktet e dhunës, duke theksuar se e drejta për të protestuar paqësisht është e patjetërsueshme, ndërsa dhunën e cilësoi si krim dhe goditje ndaj vlerave demokratike. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i qeverisë u shpreh se tubimi i fundit nuk gjeti mbështetje masive dhe se në kulmin e tij nuk kaloi shifrën e 1,500 pjesëmarrësve.

Sipas kryeministrit, qytetarët dhe familjet që kanë rezerva ndaj qeverisë kanë çdo të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por vetëm përmes rrugëve demokratike.

“Rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ti ndjehesh se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe të forcave. Idetë ballafaqohen çdo ditë, forcat ballafaqohen në zgjedhje. E në ndërkohë mes të dyjave qëndron edhe liria e paprekshme, e drejta e padiskutueshme e protestës paqësore,” deklaroi Rama.

“Idealistë të keqkuptuar e të radikalizuar nga teoritë e Antifa-s”

Rama vuri në dukje se shumica e qytetarëve zgjodhën instinktivisht të mos i bashkoheshin asaj që ai e quajti një “turmë” të përzier me elemente të rrezikshme radikale. Ai theksoi se brenda këtij grupi gjenden edhe të rinj idealistë, por që po manipulohen nga ideologji ekstreme.

- Advertisement -

“Fakti është se, me ose pa vetëdije instinktivisht shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë në 1,500 vetë — një konglomerat ku padyshim ka brenda edhe studentë, idealistë, por krejtësisht të keqkuptuar, të radikalizuar e të ekstremizuar me teoritë destruktive të Antifa-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila tek dhuna dhe tek terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng institucionet,” theksoi kreu i qeverisë.

Ai ritheksoi se në një shtet ligjor çdokush ka lirinë e mendimit, por kjo liri përfundon aty ku nis agresioni fizik: “Idetë janë çështje zgjedhjeje… Por dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, armik i lirisë dhe i sigurisë.”

Paralajmërimi: “Nesër do të ekspozojmë gjëra të tjera”

Në mbyllje të prononcimit, Kryeministri Rama garantoi se shteti do të mbrojë rendin dhe sigurinë e çdo qytetari, ndërsa paralajmëroi publikimin e fakteve dhe të dhënave të mëtejshme rreth prapaskenave të organizimit të dhunshëm.

“Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar,” përfundoi Rama.

Author
TAGGED:
Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje

Share with

Aviacion IllyStory A New Era in Orbit: NASA Paves the Way for Commercial Space Stations