“Fëmijëria pa telefona më e shëndetshme”, logopedia Mirgena Preniqi flet në podcastin “Shëndeti në rend të parë”

Illyrian Info
2 Min Read

Logopedia Mirgena Preniqi vlerëson se gjeneratat që janë rritur pa telefona dhe rrjete sociale kanë pasur një fëmijëri më të shëndetshme, sidomos në aspektin e komunikimit, përqendrimit dhe zhvillimit emocional.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, Preniqi foli për ndryshimin e madh mes mënyrës se si kalonin kohën fëmijët dikur dhe mënyrës se si po rriten sot.


“Pak a shumë i takoj edhe unë gjeneratës që kemi qenë pa telefona. Në moshën kritike të zhvillimit tonë nuk kemi pasur telefonat nëpër duar dhe konsideroj që ka qenë një fëmijëri shumë më e shëndetshme”, deklaroi Preniqi.

Sipas saj, mungesa e teknologjisë në vitet e hershme kishte bërë që fëmijët të kalonin më shumë kohë në komunikim real, në lojëra fizike dhe në ndërveprim social me familjen dhe bashkëmoshatarët.

“Kemi pasur shumë ndërveprime të tjera, kemi luajtur, kemi bashkëbiseduar dhe kemi bërë lojëra të ndryshme”, tha ajo.

Preniqi shtoi se aktivitetet e tilla kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e imagjinatës, durimit dhe koncentrimit tek fëmijët.

“Sot po shohim që fëmijët mësuesin e parë e kanë ekranin, që është totalisht gabim”, u shpreh logopedia.

Ajo paralajmëroi se ekspozimi i hershëm ndaj telefonave dhe teknologjisë po lidhet gjithnjë e më shumë me problemet në zhvillimin e të folurit, mungesën e përqendrimit dhe vështirësitë në komunikim.

Sipas Preniqit, fëmijët kanë nevojë për më shumë lojë, komunikim dhe kohë cilësore me familjen, e jo për orë të gjata para ekranit.

Për më shumë shikoni podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

– YouTube www.youtube.com

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *