Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve, duke apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes pasi këto mesazhe, sipas policisë, paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë financiare.
Sipas njoftimit të policisë, edhe pse qytetarët janë paralajmëruar edhe më herët, kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve ku dërgohen mesazhe të rreme, në emër të institucioneve bankare.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren… ka apeluar te qytetarët… lidhur me shfaqjen e një dukurie shqetësuese përmes SMS-ve mashtrues… kohëve të fundit është vërejtur një rritje e rasteve të mashtrimeve përmes SMS-ve”, thuhet në njoftim.
Policia sqaron se qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme, ku njoftohen se llogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme, ndërsa mesazhi përmban edhe një link të dyshuar.
“Konkretisht, qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme… se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme. Në këto mesazhe përfshihet një lidhje (link) e dyshuar, ku kërkohet nga qytetarët të fusin të dhënat e tyre personale dhe bankare”, thuhet më tej.
Sipas policisë, pas futjes së të dhënave në këto lidhje, persona të paautorizuar mund të marrin qasje në llogaritë bankare dhe të përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.
“Pas futjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht xhirollogaria e tyre zbrazet”, thuhet në njoftim.
Policia ka dhënë edhe disa këshilla për qytetarët, duke kërkuar që të mos hapen dhe të mos klikohen lidhjet e dyshimta të pranuara përmes SMS-ve, të mos jepen të dhënat personale, fjalëkalimet dhe kodet identifikuese në platforma të pasigurta, si dhe që rastet e dyshuara të raportohen menjëherë.
“Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos klikojnë në lidhje (linqe) të panjohura të dërguara përmes SMS-ve apo email-eve”, thuhet në njoftim.
Nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të ndërmarrë masa ndaj personave që kryejnë veprime të kundërligjshme. /Telegrafi/
