Rodri ka qenë prej vitesh një nga ëndrrat më të mëdha të parealizuara të Real Madridit, sidomos pas tërheqjes së Toni Kroos. Në çdo afat kalimtar, emri i mesfushorit të Manchester Cityt rikthehej në zyrat e Valdebebas si zgjidhja ideale për t’i dhënë sërish ekuilibër dhe kontroll mesfushës, por deri tani skenari ishte i pandryshueshëm, Rodri shihej si i paprekshëm në “Etihad”.
Sipas “Marca”, situata mund të ndryshojë për herë të parë seriozisht, për shkak të largimit të mundshëm të Pep Guardiolës. Për vite me radhë, prania e Rodrit në City ishte e lidhur ngushtë me trajnerin katalanas, i cili jo vetëm e bëri boshtin e ekipit, por edhe i dha rol total në organizimin e lojës.
Madje, mungesa e tij për shkak të dëmtimit sezonin e kaluar, sipas shkrimit, e la Man Cityn “të humbur” për një pjesë të madhe të edicionit.
Lidhja Guardiola–Rodri përshkruhet si e veçantë, e ndërtuar mbi admirim, respekt dhe të njëjtin vizion futbolli. Lidership i qetë, disiplinë, diskrecion dhe obsesion taktik. Pikërisht kjo marrëdhënie, thekson Marca, ka qenë faktori që e mbajti të mbyllur çdo derë daljeje nga City për mesfushorin spanjoll.
Por tani, me skenarin e ri, ideja e një rikthimi në Spanjë po fiton terren. Në Madrid besojnë se, nëse krijohen rrethanat e duhura, operacioni mund të bëhet i realizueshëm, edhe pse nuk do të jetë i lehtë, pasi si Rodri ashtu edhe Guardiola janë nën kontratë deri në vitin 2027 dhe Man City nuk parashikon ta lëshojë lehtë një nga lojtarët më të rëndësishëm. Megjithatë, dëshira e vetë futbollistit do të mund ta lehtësonte procesin.
Real Madridi e vlerëson prej kohësh profilin e Rodrit, pasi ai ka lidership, inteligjencë taktike, ekuilibr dhe aftësi për të kontrolluar ndeshjen.
Interesimi i klubit daton që nga koha e tij te Atlético Madridi, por refuzimi i atëhershëm i Atleticos dhe ardhja e Guardiolës më pas, ia mbyllën rrugën këtij transferimi.
Edhe episodi rreth “Topit të Artë” solli fërkime, por Marca shkruan se Florentino Pérez më vonë e zbuti situatën me një gjest ndaj lojtarit.
Në “Bernabéu” e shohin Rodrin jo thjesht si një transferim “galaktik”, por si pjesën që i mungon mesfushës. Realit i duhet më shumë ekuilibër taktik, më shumë siguri mbrojtëse dhe më shumë rrjedhshmëri në ndërtimin e aksioneve, pas shuarjes graduale të trekëndëshit Kroos–Modrić–Casemiro. /Telegrafi/
