Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se punimet për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Tregu i Gjelbër” në Gjilan po vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar, ndërsa projekti parashihet të përfundojë më së largu në fillim të vitit të ardhshëm.
Në një postim në Facebook, Kurti ka njoftuar se vlera e investimit është 885 mijë euro dhe se objekti do të ketë sipërfaqe prej 900 metrash katrorë, me kapacitet për 80 fëmijë.
“Vazhdojnë me dinamikë të përshpejtuar punimet në çerdhen në lagjen ‘Tregu i Gjelbër’ në Gjilan. Vlera e investimit është 885 mijë euro, sipërfaqja prej 900 metër katrorë, me kapacitet të përshtatshëm për 80 fëmijë, ndërsa punimet do të mbarojnë më së largu në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar rëndësinë e edukimit të hershëm, duke e cilësuar si vendimtar për zhvillimin dhe cilësinë e jetesës së fëmijëve.
“Edukimi i hershëm është vendimtar edhe për karakterin dhe cilësinë e jetesës së fëmijëve. Me çerdhen në këtë lagje krijojmë hapësirë e mundësi për rritje në ambient të përshtatshëm”, ka shkruar kryeministri në detyrë. /Telegrafi/
