Të paktën 82 persona kanë humbur jetën nga një shpërthim në një minierë qymyri në veri të Kinës, raportuan mediat shtetërore kineze.
Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua njoftoi se aksidenti ndodhi në minierën Liushenyu, në provincën Shanxi, në pronësi të grupit Tongzhou.
“Gazetarët në vendin e shpërthimit të gazit në minierën e qymyrit Liushenyu kanë mësuar se në aksident kanë humbur jetën 82 persona”, raportoi Xinhua.
Shpërthimi ndodhi të premten në orën 19:29 sipas kohës lokale, përkatësisht në orën 11:29 sipas kohës së Evropës Qendrore.
Në momentin e aksidentit, në minierë po punonin 247 minatorë, shkruan bbc.
Operacionet e shpëtimit ende po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kineze deri tani nuk kanë bërë të ditur shkakun e shpërthimit.
Provinca Shanxi është një nga qendrat kryesore të prodhimit të qymyrit në Kinë, ndërsa aksidentet në miniera vazhdojnë të jenë relativisht të shpeshta pavarësisht forcimit të rregullave të sigurisë në vitet e fundit. /Telegrafi/
