Kur Paris Saint-Germain barazoi me Bayern Munich në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ata u dukën si një makineri e përkryer, e “vajosur” deri në detaj.
PSG shënoi në minutën e tretë në sfidën në transfertë dhe e mbajti Bayernin larg portës deri te barazimi i vonshëm i Harry Kane, një gol që në fund doli i pamjaftueshëm.
Ishte një shembull i pastër i një skuadre që funksionon në harmoni dhe dëshmi se tensionet natyrale brenda një grupi profesional nuk duhet domosdoshmërisht ta dëmtojnë performancën.
Një lojtar që nuk ishte në fushë atë natë ishte mbrojtësi Ilya Zabarnyi, i cili iu bashkua PSG-së verën e kaluar nga Bournemouth pas një periudhe shumë të mirë në Ligën Premier.
23-vjeçari kishte luajtur në gjashtë ndeshjet e mëparshme të PSG-së në Ligën e Kampionëve (dy herë si titullar), por nuk është paraqitur më që nga faza e ligës.
Zabarnyi dhe portieri i PSG-së, Matvey Safonov, u rreshtuan në skuadra të ndryshme gjatë një ndeshjeje stërvitore para finales së Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit më 30 maj.
Me kamerat kudo sot, u vu re se Zabarnyi dhe Safonov zgjodhën të mos shtrëngonin duart, teksa dy gjysmat e skuadrës po përshëndeteshin në qendrën stërvitore.
Nuk ka qartësi për arsyen e këtij refuzimi, por supozimi më i dukshëm dhe ai që është bërë shpesh pas incidentit, lidhet me kombësitë e tyre.
Zabarnyi është nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës. Ndërsa Safonov, 27 vjeç, ka lindur në qytetin rus Stavropol.
Edhe pse të dy kanë luajtur së bashku në 13 ndeshje këtë sezon, nuk është e habitshme që një ukrainas dhe një rus mund të zgjedhin të mos shtrëngojnë duart në një situatë të tillë, ashtu siç nuk është e pazakontë që një ekip futbolli të ketë fërkime të brendshme që, në momentin vendimtar, nuk ndikojnë domosdoshmërisht në atë që ndodh në fushë./Telegrafi/
