Tjetër sulm i qenve endacakë në Prishtinë, një qytetar përfundon në QKUK – a po pret kryeqyteti për tragjedi që të intervenohet?

Illyrian Info
2 Min Read

Sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve në Prishtinë po vazhdojnë, ndërsa një rast tjetër serioz është raportuar sot, 26.05.2026 në redaksinë e Telegrafit.

Sipas qytetarit, të martën, më 26 maj 2026, pranë parkut të Fakultetit Teknik, ai është sulmuar nga një grup qenësh endacakë, teksa po tentonte t’u dilte në ndihmë disa kalimtareve që, sipas tij, po përballeshin me sulm.


“Isha duke kaluar pranë parkut te Fakulteti Teknik dhe pash se dhjetëra qen filluan të sulmonin disa gra”, tha ai për Telegrafin.

Ai tregon se, në momentin kur u afrua për të ndërhyrë, qentë u kthyen edhe ndaj tij.

“Kur vrapova t’u dal në ndihmë, filluan të më sulmonin mua. Kam pësuar lëndime në këmbë, në pjesën e pasme”, deklaroi qytetari.

Sipas tij, pas incidentit është drejtuar për trajtim mjekësor në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku në njërën nga plagët e shkaktuara nga kafshimi është nevojitur edhe qepje.

Telegrafi ka kontaktuar vazhdimisht Komunën e Prishtinës lidhur me rrezikun e vazhdueshëm nga qentë endacakë, veçanërisht në zonën e QKUK-së, mirëpo deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për largimin e tyre nga kjo hapësirë.

Ndërkohë, më 30 prill, ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zenjullahu, kishte njoftuar për themelimin e një Shtabi Emergjent, si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda oborrit të QKUK-së.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka deklaruar se niveli qendror nuk ka treguar bashkëpunim të mjaftueshëm në trajtimin e kësaj çështjeje.

Derisa vazhdojnë përplasjet dhe akuzat mes nivelit qendror dhe atij lokal, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut nga qentë endacakë dhe pasojave që mund të shkaktojnë këto sulme. /Telegrafi/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *