Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka deklaruar se skuadra e tij është plotësisht e bindur se mund ta fitojë për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve, në finalen ndaj Paris Saint-Germain këtë fundjavë.
Tekniku spanjoll theksoi se atmosfera brenda klubit është shumë pozitive dhe se lojtarët janë të mbushur me besim para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit.
“Mund ta ndjesh energjinë, mund ta ndjesh pozitivitetin dhe besimin te lojtarët dhe te të gjithë në klub”, deklaroi Arteta.
“Kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të shkruar histori të re në klubin tonë dhe jemi të bindur se do ta bëjmë. Do të udhëtojmë drejt Budapestit të enjten, plotësisht të bindur se pas disa ditësh mund të jemi kampionë të Evropës”, shtoi trajneri i Arsenalit.
“Topçinjtë” sapo kanë festuar titullin e parë në Ligën Premier pas 22 vitesh, duke e siguruar trofeun një javë para fundit të kampionatit.
Për Arsenalin kjo do të jetë finalja e dytë në historinë e klubit në Ligën e Kampionëve, plot 20 vjet pasi humbën finalen nga Barcelona. /Telegrafi/
