Për t’ua lehtësuar zgjedhjen nxënësve të klasës së nëntë gjatë regjistrimit në arsimin e mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për Zhvillimin e Arsimit Profesional, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, përgatitën udhëzuesin online për kualifikime – kvalifikacii.crso.gov.mk, i cili do t’u mundësojë të sjellin vendim të informuar dhe të drejtë për profesionin në të cilin do të vazhdojnë të edukohen edhe në të ardhmen të punojnë.
Në promovimin e sotëm të udhëzuesit, nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik Zendeli dhe zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihal Harari, u theksua se për herë të parë të gjitha informacionet për arsimin profesional janë centralizuar në një vend dhe të sistematizuara në mënyrë që mundëson kërkim të lehtë sipas sektorëve, kualifikimeve, rajoneve, shkollave dhe niveleve.
“Udhëzuesi ka rol informues dhe këshillues dhe do t’u ndihmojë nxënësve dhe prindërve të tyre që më mirë t’i kuptojnë drejtimet arsimore, perspektivat për arsimim të mëtejshëm, si dhe mundësitë për punësim dhe zhvillim në karrierë. Besoj se të rinjtë do ta përdorin dhe do ta lehtësojnë zgjedhjen e shkollës së mesme kur të vijë momenti për këtë”, tha Vesna Janevska.
“Nuk do të ishte modesti nëse them se kemi sistem jashtëzakonisht cilësor të arsimit të mesëm profesional dhe veçanërisht model efikas të arsimit dual ku fokusi është vendosur te mësimi përmes punës, përkatësisht mësimi praktik realizohet në vend real pune në kompani, në vend të klasës. Më gëzon që ky lloj arsimi nuk është vetëm alternativë për nxënësit, por tashmë prej disa viteve shkollore është zgjedhja e parë, kështu që në këtë vit shkollor vijues nga 17 mijë nxënës të regjistruar në vitin e parë, rreth 12 mijë janë regjistruar në shkolla profesionale”, informoi Janevska.
Politika e regjistrimit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është e njëjtë edhe për vitin e ri shkollor. Konkursi i shpallur, i përgatitur së bashku me komunat dhe komunitetin e biznesit, ofron 25 mijë vende të lira, nga të cilat 17 mijë janë në shkolla profesionale. Prej tyre, pothuajse 7 mijë janë në paralelet duale, ku mësimi praktik do të realizohet nga mbi 1000 kompani që e njohin përfitimin nga përfshirja e drejtpërdrejtë në formësimin e forcës së tyre potenciale të punës.
“Nëse informacioni nuk është i qartë dhe i qasshëm – zgjedhja nuk është zgjedhje e vërtetë, prandaj sot nuk promovojmë vetëm një platformë, sot po ndryshojmë mënyrën e të menduarit”, tha drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik Zendeli, duke shtuar se institucioni merr përgjegjësinë që platforma të përditësohet vazhdimisht dhe të jetë burim i besueshëm dhe gjithëpërfshirës i informacionit për arsimin profesional në vend.
“Kjo platformë përfaqëson hap të rëndësishëm përpara në mënyrën se si institucionet publike komunikojnë me qytetarët, kalim nga komunikimi njëkahësh drejt një qasjeje të orientuar ndaj përdoruesit, e cila kontribuon në ndërtimin e besimit, transparencës më të madhe dhe afrimin e institucioneve me qytetarët”, theksoi zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihail Harari.
