Nga Mbappe te Vinicius, Mourinho dhe blerje e Yamal – presidenti Perez flet për të gjitha

Illyrian Info
3 Min Read

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka folur në një intervistë mediatike me gazetarin spanjoll Josep Pedrerol, ku ka prekur disa tema të rëndësishme: afatin kalimtar, marrëdhëniet me Barcelonën, situatën e Vinicius Junior dhe mundësinë e transferimit të Lamine Yamal.

Perez u ndal edhe te Kylian Mbappe, duke theksuar se sulmuesi është tashmë lojtar i Real Madridit dhe duke vlerësuar kontributin e tij.


“Mbappe është lojtar i Real Madridit aktualisht. Ai e fitoi ‘Këpucën e Artë’ dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa shënuar gola. Megjithatë, ka gjëra që duhen përmirësuar. Ne jemi lënduar nga Liga e Kampionëve dhe gjyqtari që na caktuan… duhet ta kuptoj se ai (gjyqtari) nuk e bëri me qëllim të keq, sepse nuk ishte i vetëdijshëm”, ka deklaruar Perez.

Sa i përket transferimeve, ai konfirmoi se Real Madridi do të vazhdojë të kërkojë përforcime, por theksoi se vendimet konkrete i takojnë sektorit sportiv të klubit.

“A do të ketë përforcime? Sigurisht. Përforcime ka pasur gjithmonë dhe ne kemi firmosur gjithmonë më të mirët. Unë kam nënshkruar me Figo, Kaka, Ronaldon (Fenomenin), Beckham… Kur ka një lojtar të mirë, shkoj ta nënshkruaj. Për Haalandin nuk komentoj. Kjo është punë e drejtimit sportiv dhe unë nuk ndërhyj”, shtoi ai.

Marrëdhëniet me Barcelonën he rinovimi i Vinicius

Perez deklaroi se marrëdhënia me Barcelonën është “përfundimisht e mbyllur”, duke e lidhur këtë me rastin Negreira.

“A ka mbaruar marrëdhënia me Barcelonën? Po, plotësisht e mbyllur. Nuk dua asnjë marrëdhënie me një klub që ka paguar gjyqtarë për dy dekada. Dua që drejtësia të veprojë”, u shpreh kreu i Realit.

Në lidhje me të ardhmen e Vinicius Junior, Perez deklaroi se nuk ka urgjencë për rinovimin e kontratës dhe se procesi menaxhohet nga drejtimi sportiv.

“Rinovimet e kontratave nuk janë puna ime. Për mua, Vinicius është një nga lojtarët më të mëdhenj që ka Real Madridi. Ai i fitoi dy titujt e fundit të Ligës së Kampionëve. Nuk ka nxitim për rinovim, kemi gjithë sezonin të flasim. Ju mendoni se unë kontrolloj gjithçka, por rinovimi i Vinicius merret nga drejtimi sportiv”, tha ai.

Mourinho dhe Yamal

Perez mohoi edhe kontaktet me Jose Mourinhon, i cili flitet se do të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madridit.

“Nuk kam folur me Mourinhon, as kur erdhi këtu për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Benficës”, deklaroi ai.

Ndërkohë, për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, Perez tregoi vlerësim, por mohoi mundësinë e transferimit në kushtet aktuale.

“Të pëlqen Lamine Yamal? Po, sigurisht, si të mos më pëlqejë? Por nuk mund ta nënshkruaj… Jo, jo… Jemi në një situatë të tensionuar me Barcelonën tani, imagjinoni sikur ta bënim këtë!”, përfundoi Perez. /Telegrafi/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *