Sipas Diario AS, Real Madridi ka nisur të dëgjojë ofertat për Eduardo Camavinga, ndërsa Paris Saint-Germain është një nga klubet që po e monitoron nga afër situatën e mesfushorit francez.
Camavinga ka kaluar një sezon shumë të vështirë dhe goditja e radhës erdhi pasi u la jashtë listës së Francës për Kupën e Botës 2026.
Trajneri i “Gjelave”, Didier Deschamps, pranoi se lojtari ka pasur vështirësi me lëndimet dhe mungesën e minutazhit të rregullt këtë sezon, duke theksuar se “ai është ende i ri”, teksa shpjegoi vendimin për ta përjashtuar.
Sipas të dhënave të sezonit, Camavinga ka nisur si titullar vetëm 23 nga 54 ndeshjet e Real Madridit dhe ka luajtur vetëm 43% të minutave totale të skuadrës, çka tregon rolin e tij të reduktuar nën drejtimin e Álvaro Arbeloas.
Situata e tij është përkeqësuar edhe në muajt e fundit, ku tifozët në “Santiago Bernabeu” e kanë vërshëllyer në disa ndeshje, ndërsa në takime kyçe përpara tij janë preferuar alternativa më të reja.
Edhe pse Camavinga ka kontratë me Realin deri në vitin 2029, AS raporton se klubi madrilen do ta shqyrtonte seriozisht një ofertë të fortë gjatë kësaj vere, sidomos me PSG-në që po e ndjek nga afër këtë rast./Telegrafi
