“Roblox” dhe lojërat online a ndikojnë te fëmijët? Logopedia tregon pasojat në zhvillim dhe përqendrim

Illyrian Info
2 Min Read

Logopedia Mirgena Preniqi ka folur për ndikimin që lojërat moderne dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve po kanë tek zhvillimi i fëmijëve, duke theksuar se mënyra e argëtimit të sotëm është shumë ndryshe nga fëmijëria e gjeneratave të mëhershme.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, ajo tha se sot është gjithnjë e më e rrallë të shohësh fëmijë duke luajtur në parqe apo duke u marrë me lojëra fizike.


“Sot është e rrallë të shohim edhe lojëra të tjera nëpër parqe. Shumë pak shohim fëmijë nëpër parqe… sot verës i gjejnë fëmijët para ekraneve, i gjejnë fëmijët të mbyllur në dhomat e tyre duke luajtur”, u shpreh Preniqi.

Ajo përmendi edhe lojëra të njohura si “Roblox”, duke ngritur shqetësimin për ndikimin që mund të kenë në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë suksesin dhe ndërveprimin.

“Kemi lojëra të tilla si Roblox dhe lojëra të ngjashme, kur fëmijët fitojnë në momentin që vrasin dikë në lojë ose ndihen fitimtarë në momentin që dëmtojnë dikë”, deklaroi ajo.

Sipas Preniqit, loja fizike dhe aktivitetet tradicionale që kanë qenë pjesë e fëmijërisë më herët kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin emocional, fizik dhe kognitiv të fëmijëve.

“Ne jemi ndjerë fitimtarë atëherë kur kemi fituar lojën qoftë me llastikë, qoftë nëse kemi shënuar ndonjë gol”, tha ajo.

Logopedia theksoi se lojërat funksionale dhe aktivitetet fizike ndihmojnë në zhvillimin e përqendrimit, motorikës fine dhe komunikimit, benefite që sipas saj nuk mund të zëvendësohen nga lojërat në telefon apo tablet.

“Sa më shumë që zhvillohet motorika fine dhe fëmijët bëjnë lojë fizike, kemi benefite edhe në zhvillimin e përgjithshëm dhe në zhvillimin e të folurit”, shtoi Preniqi.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

– YouTube www.youtube.com

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *