Një ngjarje e pazakonshme ka përfshirë aviacionin civil zviceran, ku brenda më pak se 24 orëve, i njëjti aeroplan pasagjerësh është goditur dy herë nga rrufeja në fluturime të ndryshme.
Bëhet fjalë për një avion të kompanisë Helvetic Airways, i cili po kryente fluturime në emër të kompanisë Swiss. Pas situatës së krijuar u shkaktua një tollovi e përkohshme në Aeroportin e Zürichut dhe ekuipazhet u detyruan të ndërpresin fluturimet.
Gjithçka nisi mbrëmjen e së enjtes, kur avioni i tipit Embraer E195AR, me regjistrim HB-JVW, u nis nga Zürichu me destinacion Krakovën e Polonisë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Pak pas ngritjes, avioni u godit nga një rrufe e fuqishme. Pilotët, duke ndjekur rregullat strikte të sigurisë, vendosën menjëherë të ktheheshin në Zürich për t’i nënshtruar avionit një kontroll të imtësishëm teknik. Pasi inxhinierët dhanë dritën e gjelbër, të premten gjatë ditës i njëjti aeroplan fluturoi pa asnjë problem drejt Berlinit dhe Dyseldorfit, duke u kthyer sërish në bazë.
Megjithatë, makthi i vërtetë nisi mbrëmjen e së premtes. I njëjti avion, HB-JVW, u nis në orën 17:36 për një fluturim drejt Kopenhagës. Sipas të dhënave të platformës Flightradar24, vetëm nëntë minuta pas ngritjes, ekuipazhi njoftoi kullën e kontrollit se avioni ishte goditur sërish nga rrufeja. Pa u mbushur as 24 orë nga incidenti i parë, historia u përsërit. Avioni bëri disa xhiro mbi kantonin Thurgau për të humbur lartësi dhe u rikthye në Kloten në orën 18:25. Në bord ndodheshin 82 pasagjerë, të cilët fatmirësisht u risistemuan në fluturime të tjera brenda mbrëmjes.
Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm nëntë minuta pas incidentit të dytë, një tjetër Embraer i kompanisë Helvetic, me regjistrim HB-JVA, i cili po fluturonte drejt Berlinit me 91 pasagjerë, u godit gjithashtu nga rrufeja nga e njëjta stuhi. Edhe ky ekuipazh u detyrua të kthehej menjëherë në Zürich.
Ekspertët e aviacionit theksojnë se goditje të tilla nga rrufeja ndodhin herë pas here për shkak të stuhive të forta, por një shpeshtësi e tillë incidentesh brenda një dite është jashtëzakonisht e rrallë. Stuhia e së premtes mbrëma detyroi edhe disa fluturime të tjera nga Sofia, Amsterdami dhe Kopenhaga të ndërpritnin uljen dhe të qëndronin në pritje mbi Zürich derisa moti u stabilizua.
Për pasagjerët, goditjet e rrufesë në avion nuk përbëjnë rrezik për jetën, sepse rryma elektrike shpërndahet vetëm në pjesën e jashtme prej metali dhe shkarkohet në ajër pa prekur njerëzit brenda. Rreziku i vetëm mbetet dëmtimi i mundshëm i sistemeve elektronike, ndaj çdo avion i goditur duhet të qëndrojë në tokë për inspektime të detajuara përpara se të ngrihet sërish në qiell, thekson “Tages Anzeiger”. /Telegrafi/
