Finalja u mbyll me zhgënjim: Cristiano Ronaldo nuk e pranon medaljen e vendit të dytë

Illyrian Info
2 Min Read

Cristiano Ronaldo refuzoi ta merrte medaljen e vendit të dytë, pasi Al-Nassr u mposht nga Gamba Osaka në finalen e Ligës së Kampionëve Aziatike të shtunën mbrëma.

Skuadra e Ronaldos kishte arritur në finalen e kompeticionit të nivelit të dytë të futbollit aziatik për klube, por goli i Deniz Hommet i mjaftoi Gamba Osakës për ta fituar ndeshjen 1-0 në “Al-Awwal Park” në Riad.


Pas vërshëllimës përfundimtare, Ronaldo u shkëput nga bashkëlojtarët e Al-Nassr dhe u drejtua menjëherë drejt tunelit.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Real Madridit nuk u shfaq më, ndërsa trajneri i Al-Nassr, Jorge Jesus, i udhëhoqi lojtarët në podium për ta marrë medaljen e argjendtë.

Megjithatë, Ronaldo ende mund ta mbyllë sezonin me trofe, pasi Al-Nassr aktualisht është dy pikë përpara Al-Hilalit në krye të Saudi Pro League.

Nëse Al-Nassr e mposht Damac (që po lufton për mbijetesë), atëherë do ta fitojë titullin kampion – që do të ishte i pari për Ronaldon me klubin saudit, të cilit iu bashkua në vitin 2023.

Të martën, Al-Nassr humbi mundësinë për ta siguruar titullin para kohe, pasi barazoi 1-1 me Al-Hilalin.

Ronaldo u pa i ulur në stol, i tronditur nga ajo që ndodhi. Më pas ai shkroi në Instagram: “Ëndrra është afër. Kokën lart, na ka mbetur edhe një hap! Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme sonte”.

Jorge Jesus, i cili e udhëhoqi Al-Hilalin drejt titullit në kampionat, Kupës së Mbretit dhe Superkupës në vitin 2024, u emërua trajner i Al-Nassr verën e kaluar.

“Është e vështirë ta humbasim mundësinë për ta festuar titullin sot në aksionin e fundit të ndeshjes, por na ka mbetur edhe një ndeshje [kundër Damac], në stadiumin tonë, dhe mund të shpallemi kampionë”, deklaroi Jesus.

“Kemi një shans të dytë. Ende kemi një ndeshje për të qenë të lumtur. Nëse tifozët janë të fortë si sot, me siguri në ndeshjen e fundit do të jemi të lumtur dhe do ta festojmë titullin”./Telegrafi/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *