Polonia u habit të mërkurën nga vendimi i papritur i SHBA-së për të anuluar një vendosje të planifikuar të trupave amerikane në vend.
Por rezulton se paralajmërimi kishte mbërritur disa ditë më parë.
Ushtria polake u njoftua për veprimin e Pentagonit që të hënën e kaluar, sipas tre personave me njohuri për çështjen, të cilët janë në rrethin e ngushtë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Polake, Gjeneral Wiesław Kukula, i cili mori njoftimin.
Por mesazhi ngeci diku në emailin e gjeneralit, shkruan Politico.
Si rezultat, udhëheqja e ministrisë së mbrojtjes dhe anëtarët e ushtrisë së Polonisë mësuan nëpërmjet mediave për ndryshimin e planeve nga aleati i vendit.
Mesazhi i dërguar në fillim të javës thoshte se Ushtria Amerikane po pezullonte rotacionin e planifikuar në Poloni të më shumë se 4,000 ushtarëve nga një brigadë e blinduar.
Por lajmi u raportua për herë të parë të mërkurën nga gazeta Army Times.
Përfaqësuesit ushtarakë amerikanë më pas konfirmuan ndryshimin në planet në lidhje me vendosjen e trupave në Poloni, megjithëse nuk zbuluan arsyet e vendimit.
Pentagoni që atëherë e ka mbrojtur këtë veprim si pjesë të një procesi të menduar me kujdes.
“Vendimi për tërheqjen e trupave vjen pas një procesi gjithëpërfshirës dhe shumështresor që përfshin perspektivat e udhëheqësve kryesorë në ushtrinë amerikane në Evropë dhe në të gjithë zinxhirin e komandës”, tha sekretari i shtypit në detyrë i Pentagonit, Joel Valdez.
“Ky nuk ishte një vendim i papritur i minutës së fundit”, shtoi ai.
Të mërkurën në mbrëmje, zëvendëskryeministri i Polonisë Wladyslaw Kosiniak-Kamysz komentoi mbi vendimin e SHBA-së, duke siguruar publikun se masa nuk do të thoshte një ulje të numrit të trupave amerikane në Poloni.
Gjithashtu, Kosiniak-Kamysz tha në një konferencë për shtyp se ishte konsultuar me gjeneralin amerikan Alexus Grynkewich, komandant i forcave amerikane në Evropë, si dhe komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, në lidhje me vendimin e Pentagonit.
Komandanti amerikan e siguroi atë se pezullimi i vendosjes nuk do të thotë një ulje e përhershme e numrit të trupave amerikane në Poloni.
Kosiniak-Kamysz deklaroi se ai ishte në kontakt të vazhdueshëm për këtë çështje me komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura të Polonisë, presidentin Karol Nawrocki, si dhe me kryeministrin polak Donald Tusk. /Telegrafi/
