Liverpooli po kalon një moment të vështirë pas humbjes së rëndë 4-2 ndaj Aston Villas të premten, rezultat që ka shtuar tensionet brenda klubit dhe ka vënë nën presion trajnerin Arne Slot.
Disfata ndaj Aston Villas ishte humbja e 20-të sezonale në të gjitha garat për “The Reds”, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e teknikut holandez në “Anfield”.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, brenda drejtuesve të klubit ka ndarje të forta sa i përket vazhdimësisë së Slot.
Gazetari i TEAMtalk, Graeme Bailey, ka bërë të ditur se jo të gjithë në hierarkinë e Liverpoolit janë të bindur se trajneri duhet të vazhdojë në stol edhe sezonin e ardhshëm.
Drejtuesit Michael Edwards dhe Richard Hughes pritet të zhvillojnë takime vendimtare përpara ndeshjes së fundit të kampionatit ndaj Brentfordit.
Situata është tensionuar edhe më shumë pas një reagimi kritik në rrjetet sociale nga ylli i skuadrës, Mohamed Salah, çka ka shtuar spekulimet për një krizë të brendshme në klub.
Ndërkohë, mediat angleze raportojnë se në rast të një largimi të mundshëm të Slot, emri favorit për ta zëvendësuar është trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique.
Megjithatë, pavarësisht krizës aktuale, Arne Slot kishte arritur sukses të madh në sezonin e tij debutues me Liverpoolin, duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit kampion në Ligën Premier sezonin e kaluar.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e klubit do t’i japin besim projektit të tij apo do të vendosin për një ndryshim të madh në stol. /Telegrafi/
