Arsenali shpallet kampion i Anglisë, mbyllet pritja e gjatë – rikthehet kujtimi i “Invincibles” të 2004

Illyrian Info
2 Min Read

Arsenali është shpallur kampion i Anglisë. Gjithçka u vulos sonte, pasi Manchester City nuk arriti të fitonte ndaj Bournemouthit, duke ia hapur rrugën matematikisht “Topçinjve” që ta sigurojnë titullin një xhiro para fundit.

Me këtë epilog, Arsenali ka 82 pikë, ndërsa Man City mbetet në 78, pa mundësi që ta përmbysë diferencën në javën e fundit.


Ky është një moment historik për klubin londinez, i cili rikthehet te kurora e Ligës Premier pas një pritjeje të gjatë. Hera e fundit kur Arsenali kishte festuar titullin ishte sezoni 2003/04 – edicioni i famshëm i “Invincibles”, kur skuadra e Arsène Wenger e mbylli kampionatin pa asnjë humbje dhe u fut në histori si një nga ekipet më të mëdha të futbollit anglez.

Në atë sezon të paharrueshëm, Arsenali e fitoi ligën me 90 pikë, me bilanc 26 fitore dhe 12 barazime në 38 ndeshje, duke shënuar 73 gola dhe pësuar vetëm 26.

Titulli u sigurua më 25 prill 2004, pas barazimit 2-2 ndaj Tottenhamit në “White Hart Lane”, një mbrëmje që u kthye në simbol të dominimit të tyre.

Ajo skuadër kishte emra legjendarë: Thierry Henry, Dennis Bergkamp, Robert Pirès, Freddie Ljungberg, Patrick Vieira, Sol Campbell, Ashley Cole dhe Jens Lehmann – një brez që jo vetëm fitoi, por e bëri këtë me futboll spektakolar dhe me një mentalitet që e ktheu Arsenalin në standard të epokës.

Tani, me titullin e konfirmuar, Arsenali hap një kapitull të ri. Pritja mbaroi, kurora u rikthye në Londër – dhe “Topçinjtë” janë sërish në majë të Anglisë. /Telegrafi/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *