Policia në Shtime ka njoftuar se ka përmbyllur projektin edukativ dhe vetëdijesues “Edukimi i nxënësve për siguri dhe zbatimin e rregullave të trafikut”, me fokus te rritja e kujdesit dhe mbrojtja e fëmijëve në rrugë.
Sipas njoftimit, në kuadër të projektit janë zhvilluar ligjërata me temë qendrore “Siguria e qarkullimit të këmbësorëve në trafik”, të cilat janë mbajtur më 29 dhe 30 prill 2026. Në ligjërata janë përfshirë nxënës të klasave V, VIII dhe IX, nga dy institucione arsimore.
Aktiviteti ka përfshirë gjithsej shtatë klasa dhe 54 nxënës pjesëmarrës nga:
- SHF “Emin Duraku” – Shtime
- SHFMU “Abdullah Shabani” – Carralevë
Policia bën të ditur se synimet kryesore të ligjëratave kanë qenë përvetësimi i rregullave bazë të lëvizjes si këmbësorë, krijimi i shprehive të sigurta gjatë kalimit të rrugës dhe rritja e vëmendjes në trafik.
Përveç pjesës teorike, më 4 maj 2026, në bashkëpunim me drejtimin e SHF “Emin Duraku” në Shtime, janë realizuar edhe aktivitete praktike në terren, ku nxënësit kanë ushtruar lëvizjen e sigurt në trotuar, kalimin e rrugës në vendkalimet e shënuara (zebra) dhe lëvizjen e organizuar në grup me përcjellës. Sipas njoftimit, nxënësit, të asistuar nga zyrtarët policorë, kanë marrë pjesë edhe në ndaljen e automjeteve gjatë demonstrimit praktik.
Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të përfshira, sipas policisë, kanë shprehur falënderim për këtë nismë, duke vlerësuar se ligjëratat e tilla u ofrojnë nxënësve njohuri shtesë dhe të nevojshme mbi rregullat elementare të sigurisë në trafik. /Telegrafi/



