Trajneri i Kombëtares së Portugalisë, Roberto Martinez, ka habitur opinionin sportiv me deklaratën e tij të fundit, duke thënë se beson se Portugalia mund ta fitojë Kupën e Botës 2026 edhe për shkak të “numerologjisë”.
Në një intervistë për transmetuesin portugez RTP, tekniku spanjoll u shpreh optimist për shanset e kombëtares luzitane në Botërorin e ardhshëm, duke lidhur sukseset historike të Portugalisë me numrin 6.
“Besoj shumë në numerologji. Mendoj se numri 6 mund të sjellë diçka shumë të mirë. Në vitin 2016 Portugalia fitoi Kampionatin Evropian, në 1966 arriti rezultatin më të mirë në histori në Kupën e Botës, ndërsa në 2006 ishte në gjysmëfinale. Ky është momenti për të arritur atë që Portugalia e meriton vërtet”, deklaroi Martinez.
Komentet e tij kanë marrë vëmendje të madhe në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, ku shumë tifozë i kanë komentuar me humor, ndërsa të tjerë e kanë parë si një mënyrë për të motivuar skuadrën para turneut më të madh të futbollit botëror.
Megjithatë, përtej numerologjisë, Portugalia konsiderohet realisht një nga pretendentet për triumf në Botërorin 2026.
Kombëtarja portugeze posedon një skuadër të mbushur me yje dhe eksperiencë, ku spikasin emra si Cristiano Ronaldo, Bruno Fernandes dhe Bernardo Silva.
Nën drejtimin e Martinezit, Portugalia ka treguar stabilitet dhe futboll ofensiv, ndërsa objektivi kryesor mbetet fitimi i trofeut të parë të Kupës së Botës në histori.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. /Telegrafi/
