Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka shënuar rekord historik, duke tejkaluar shifrën prej 4 miliardë eurove mjete nën menaxhim. Sipas drejtuesve të Trustit Pensional, rritja është rezultat i kthimeve të larta nga investimet dhe kontributeve të vazhdueshme pensionale. Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se kjo paraqet stabilitet financiar dhe potencial për zhvillim ekonomik në vend.
Rritja e vazhdueshme e kursimeve pensionale ka bërë që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës të arrijë një tjetër rekord historik, duke tejkaluar për herë të parë shifrën prej 4 miliardë eurove mjete nën menaxhim. Këtë e ka quajtur sukses Adrian Zalli, drejtor menaxhues në Trustin Pensional, sipas të cilit, për këto të arritura kanë ndikuar disa faktorë.
“Shifra prej 4.1 miliardë eurosh, e cila është sot, është si shkak i kthimit nga investimet prej disa vitesh. Po i përmendi vetëm tri vitet e fundit, ku në vitin 2024 kemi pasur kthim rreth 250 milionë euro, vitin e kaluar, 2025, kemi pasur kthim rreth 308 milionë euro, kurse prej fillimit të vitit deri më sot kemi rreth 210 milionë euro. Të gjitha këto e bëjnë të vetën që të arrihet kjo shifër. Natyrisht, faktori kryesor janë investimet tona që janë bërë dhe të hyrat që vijnë nga kontribuuesit. Kemi të bëjmë me një strategji investive që e ka aprovuar bordi, nga e cila kërkohet që të bëhen investime në mënyrën se si bëhen në tregjet globale financiare dhe ky është rezultati”, tha Adrian Zalli, drejtor menaxhues në Trustin Pensional.
Sipas njohësve të ekonomisë, kjo e arritur e Trustit Pensional do të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.
“Është lajm i mirë. Kjo tregon një qëndrueshmëri të trustit dhe një ecje shumë pozitive gjatë 23 viteve të fundit. Kjo rritje ka ardhur falë kontributeve nga ana e bizneseve që janë paguar, por edhe nga ana e të punësuarve. Kjo është një shenjë shumë e mirë, por neve na jep, sidomos institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, që të fillojnë të mendojnë që këto mjete t’i riorientojnë në zhvillim ekonomik”, tha Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës.
“Investimet strategjike që ka bërë Trusti kanë ndikuar në rritjen e këtyre të hyrave. Sigurisht që edhe ndikimi i institucioneve të tjera, siç është Administrata Tatimore, motivi për të deklaruar punëtorët, sidomos në formalizimin e tyre, ka rritur të hyrat e Trustit. Pastaj edhe situata ekonomike dhe vullneti i qytetarëve për të kontribuar për Republikën e Kosovës duke paguar tatime”, tha Lulzim Beqiri, ekonomist.
Nga kjo shumë, rreth 70% është akumuluar nga kontributet pensionale, ndërsa rreth 30% e saj është vlerë e shtuar nga investimet.
Sipas statistikave, në fund të vitit 2015, FKPK-ja kishte pasur vetëm rreth 1.2 miliard euro mjete nën menaxhim./RTK
